Dhjetëra serbë nga veriu i Kosovës kanë bllokuar paraditen e së hënës pikën kufitare në Jarinjë të Leposaviçit, duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve.

Sipas informacioneve, për dy orë serbët kanë protestuar rreth 1 kilometër larg pikës kufitare. Protesta e tyre vjen vetëm një javë pasi filloi të zbatohet marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Ata kanë kërkuar që të mos paguhet dogana për mallrat e dedikuara për veriun e Kosovës, pasi për këtë ata kanë marrë garanci nga qeveria e Serbisë.

Protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident dhe në mesin e protestuesve kanë qenë edhe disa nga krerët ilegalë të komunave veriore.

Në anën tjetër, zyrtarë të Doganës së Kosovës bëjnë të ditur se në këtë pikë kufitare është duke u zbatuar marrëveshja ngjashëm si në pikat e tjera.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për Top Channel nëpërmjet postës elektronike se importi i mallrave në pikën kufitare të Jarinjës ka qenë shumë i ulët që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

“Mallrat e natyrës së konsumit në sasi të ulëta janë lejuar, kurse ato të natyrës komerciale janë dërguar për zhdoganim në terminalin doganor, në Mitrovicë. Ndërsa sa i përket mallrave me akcizë, siç janë nafta, gazi, pijet alkoolike, janë dërguar për zhdoganim në Merdarë”, ka saktësuar Stavileci.

Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, deri më tani nuk ka pasur probleme me zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Deri në përfundim të këtij viti parashihet që marrëveshja në fjalë të fillojë të zbatohet edhe në dy pikat tjera kufitare, në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë, si dhe në dy të tjera në një fazë të mëvonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA