
Një koalicion qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinajn duket se për momentin është i pamundur të arrihet.
Deklaratat e zyrtarëve të të dyja partive lënë të kuptohet se AAK-ja vazhdon ta ketë si kusht postin e kryeministrit për t’u inkuadruar në qeveri.
Ndërkaq, PDK-ja vlerëson se Kosova e ka një kryeministër dhe ai është Hashim Thaçi. Sidoqoftë, zyrtarë të të dyja partive vazhdojnë të jenë të hapura për bashkëpunim të ndërsjellë.
“Ne kryeministrin e kemi. Ai është vlerësuar si një nga njerëzit më të suksesshëm. Ne kemi hyrë në një proçes i cili është tepër i rëndësishëm dhe as qytetarët e Kosovës nuk lejojnë që të bëhen lëvizje, sepse edhe nëse duam ne, kjo është e palejueshme dhe nuk është produktive. Sërish po e them që koalicioni aktual është i qëndrueshëm dhe funksional, por nuk e përjashtojmë mundësinë e zgjerimit të tij”, tha Adem Grabovci nga PDK.
Jashtë këtyre përllogaritjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti këmbëngul që pjesë e qeverisë do të bëhet atëherë kur të fitojë në zgjedhje.
Top Channel