Gjykata e qarkut në Prishtinë ka dënuar të hënën pasdite Sadik Abazin me 12 vjet burg, Driton Hajdarin me 7 vjet burg, Bekim Sylën 12 vjet, Shaban Sylën 8 vjet dhe Shpresim Ukën 15 vjet, të gjithë këta të përfshirë ne rastin “Bllaca 2”.

Aktvendimi është shpallur pavarësisht se në seancë munguan 3 nga 5 të akuzuarit. Bekim Syla, Driton Hajdari dhe Shpresim Uka nuk janë paraqitur në gjykatë dhe trupi gjykues ka lëshuar menjëherë urdhër-arrest, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë Sadik Abazi dhe Shaban Syla janë paraqitur në gjykatë.

Të dënuarit janë akuzuar për një vrasje dhe dy tentim vrasje, ndërkaq aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas denoncimeve publike që i kishte bërë i vetëshpalluri agjent i ish-Shërbimit Informativ të Kosovës, Nazim Bllaca në nëntor 2009.

Drejtuesit e ish SHIK-ut kanë mohuar në vazhdimësi deklaratat e Bllacës, duke thënë se ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e këtij shërbimi. Pas këtij vendimi, Bllaca ka dërguar një letër në adresë të mediave, ku vetëprezantohet si “ish agjent i SHIK-ut dhe autor i një vrasjeje me urdhër të kësaj ajgnecie”.

Ai gjithashtu shkruan se: “Edhe pse kryeministri Thaçi dhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, i kishin thënë gënjeshtra trupit gjykues, se rasti “Bllaca” ishte i montuar, trupi gjykues nuk vendosi ashtu siç kërkuan ata, por vendosi të kundërtën. Trupi gjykues u besoi provave të Bllacës në çdo pikë”.

Top Channel