
Dy drejtuesit kryesorë në prokurorinë shqiptare, kryeprokurori i
Tiranës, Sokol Malaj, dhe drejtori i hetimit në akuzën qendrore, Sokol
Stojani, kanë dhënë dorëheqjen.
Akti vjen disa ditë pas marrjes së detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm nga Adriatik Llala, i cili, në një mbledhje me të gjithë drejtuesit e rretheve, tha se “postet nuk janë të përjetshme”. Zëri i tij është dëgjuar nga Malaj dhe Stojani, të cilët morën detyrat dhe u ngritën në karrierë, në momentin që u emërua Ina Rama si kryeprokurore, pas tetorit të vitit 2008. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën “Shqip” se krahas këtyre dorëheqjeve, shumë drejtues të prokurorive në rrethe priten të largohen nga detyra, ndërsa kjo “reformë” e parë do të vazhdojë deri ditën e martë, kur kryeprokurori i ri, do të emërojë drejtuesit e rinj në prokuroritë e rretheve. Më pas, reformë do të ketë edhe tek postet më të ulëta.
Kryehetuesit e “21 janarit”
Largimi nga detyra i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, i ka hapur rrugë ristrukturimit të sistemit të akuzës, ku pritet të ketë ndryshime në nivelet drejtuese. Megjithatë, ajo çka bie në sy është se Sokol Malaj dhe Sokol Stojani kanë qenë dy kryehetuesit e çështjes së “21 janarit”, hetimi i së cilës ka pasur përplasje të shumta me mazhorancën. Malaj ka urdhëruar firmosjen e urdhrave të ndalimit për efektivët e gardës, në datën 22 janar të këtij viti, ndërsa aprovimi mësohet se është marrë në akuzën qendrore, pikërisht te Drejtoria e Hetimit, e kryesuar nga Sokol Stojani. Ky i fundit, sipas hierarkisë, ishte numri dy i prokurorisë shqiptare, pas Ina Ramës, ndërsa ka pasur vendimmarrje për çështjet me interes publik dhe mediatik. Këto fakte kanë sjellë që këta dy drejtues, të cilët konsideroheshin edhe si mbështetës të ish-kryeprokurores, të japin dorëheqje, ndërsa informacionet konfidenciale flasin se Stojani është shkarkuar nga detyra.
Lëvizjet e drejtuesve
Krahas këtyre dy dorëheqjeve, para Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, janë vetofruar për t’u larguar nga detyra edhe shumë drejtues të prokurorive të rretheve. Burime nga akuza qendrore thanë se ndryshimet e disa drejtuesve të prokurorive të rretheve do të bëhen deri ditën e martë, kur kryeprokurori Adriatik Llalla do të emërojë drejtuesit e rinj. Nëse ka lëvizje nga njëra prokurori në tjetrën, atëherë duhet edhe “mbështetja” e Presidentit të Republikës, ndërsa tashmë kanë filluar edhe hamendësimet e para për emrat që do të pasojë Stojanin dhe Malajn, ku pritet të kthehet “garda e vjetër” në sistemin e prokurorisë.
Top Channel