Spahiu: Rinia të rrëzojë komunistin e fundit në Europë

16/12/2012 00:00

Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, në një takim me të rinjtë e Tiranës, u shpreh se janë pikërisht ata që duhet të rrëzojnë komunistin e fundit në Europë, duke iu referuar kryeministrit të vendit, Sali Berishës.

“Rinia duhet të largojë nga pushteti komunistin e fundit në Europë. Berisha flet për Prevezën, kur largon Tiranën nga Brukseli; Berisha flet për bashkim kombëtar ditën që na largoi nga Brukseli; Berisha flet për duar të pastra dhe vret në bulevard”, theksoi Spahiu.

Spahiu: Do rrëzojmë Berishën

Ditën e shtunë, nga Kuçova, kreu i Aleancës Kuqezi ka folur me tone të ashpra për politikën qeverisëse të kryeministrit Berisha, duke e akuzuar atë si një figurë komuniste.

“Ne do ta ndalim Berishën duke ngjallur tek populli ndjenjën e revoltës. Berishën do ta rrëzojmë para zgjedhjeve të qershorit sepse është njëriu që nuk respekton dhe nuk njeh votën tuaj, njeh vetëm shtypjen. Plak komunist që i përket vetëm një historie, një relikë e së shkuarës që nuk i duhet askujt, por i përket historisë së tij të zezë”, tha zoti Spahiu.

Gjatë këtij takimi në Kuçovë Spahiu theksoi se misioni i Aleancës Kuqezi është për një politikë-bërje të re.

“Misioni i Aleancës Kuqezi është të realizojë një regjim të ri politik që do të vijë vetëm nga një gjak i ri dhe jo nga politikanë e doganierë e sotëm”, tha kreu i AK-së.

Top Channel