“Argita Berisha, vajza e kreut të qeverisë, Sali Berisha, ka në zotërim tre apartamente në qendër të Tiranës, të deklaruara zyrtarisht në ILDKP, prej nga përfiton 42 milionë lekë nga qeratë”, është vijimi i denoncimit të deputetit socialist, Taulant Balla, për atë që selia rozë emërtoi si “Dosja e Pasurimit të Bllokut Blu”.
Deputeti socialist i tregoi ato përmes fotove dhe nga deklarimi i pasurive, tha ai, Argita Berisha përfiton respektivisht nga tre apartamentet, 900 Euro në muaj, 1170 Euro në muaj dhe 1450 Euro në muaj.
“Janë tre apartamente super luksoze në Tiranë, në Rrugën Mustafa Matohiti – aty ku jeton edhe babagjyshi kryeministër – në rrugën Lidhja e Prizrenit dhe tek European Trade Center (ETC), të cilat janë prona të zonjës Berisha dhe që, sipas saj, i ka dhënë me qera. Për njërin nga këto apartamente, atë në rrugën Mustafa Matohiti, ajo ka shpenzuar plot 378 milionë lekë për ta blerë. Bëhet fjalë për një “shtim në sipërfaqen e apartamentit”, siç deklarohet nga vetë ajo, prej 121 metrash katrorë, vijuar nga blerja e një apartamenti tjetër në po atë kat, me një sipërfaqe prej 195 metrash katrorë; në total 316 metra katrorë apartament. Pra, zonja Argita Berisha, përveç pronave të tjera, jeton plot salltanet në një kat të tërë pallati” tha Balla.
Por, pronat e paluajtshme të Argita Berishës nuk mbarojnë këtu, tha Taulant Balla, i cili kërkoi sqarime nga vajza e kreut të qeverisë.
“Duam ta pyesim edhe për një vilë, qindra metra katrorë, në Gjirin e Lalzit, vend i preferuar për oborrin e pushtetit dhe rezidenca verore e bllokut të ri blu. Një super vilë, që po mbaron tashmë, pas shembjes së një vile tjetër. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto 200 milionë të ardhura, në deklaratën e vitit të shkuar shtohen edhe rreth 8 mijë Euro, para xhepi, “pagesa të prapambetura nga aktiviteti tregtar”, që, sipas vetë kësaj zonje, e kishte ndërprerë dy vite më parë, për t’iu përkushtuar mësimdhënies” shtoi Balla.
Përpos këtyre të ardhurave, vajza e kryeministrit ka shënuar në deklaratën zyrtare edhe 8 mijë euro të tjera nga pagesa të prapambetura, shtoi Balla. Duke marrë parasysh edhe deklarimet e të ardhurave nga mësimdhënia, Argita Berisha, në total, rezulton të fitojë mbi 210 milionë lekë në vit, të pakrahasueshme këto me të ardhurat e asnjë drejtuesi të një vendi të zhvilluar, tha deputeti socialist.
Për të, kjo shpjegon përse neo-bllokmenët blu të Shqipërisë nuk kanë asnjë interes në përmirësimin e gjendjes në vend dhe nuk shohin dot krizën ekonomike, ku Berisha ka zhytur 95% të shqiptarëve, tha Taulant Balla.
Top Channel