Koalicioni i mundshëm midis PDK-së dhe AAK-së vazhdon të përflitet në Kosovë, ndërsa burimet kontradiktore bëjnë edhe më të paqartë se cili do të jetë qëndrimi i ardhshëm i këtyre dy partive politike.
Dy burime të ndryshme brenda PDK-së, të cituar në anonimitet nga “Telegrafi”, thanë se koalicioni do të zyrtarizohet përpara Krishtlindjeve, ndërsa burimi tjetër deklaroi se nuk do të ketë asgjë të tillë deri në zgjedhjet e ardhshme.
Njëri nga drejtuesit e PDK-së tha se kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, duket i interesuar që fillimisht të përfundojë zgjedhjet në parti, duke vendosur në pozita të caktuara personat e tij të besuar, përpara se të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar.
“Që të hyjmë në koalicion me AAK-në, detyrimisht duhet të largojmë disa ministra (të PDK-së) nga qeveria. Ekziston frika se këta mund të rebelohen dhe të shkaktojnë probleme në zgjedhjet brenda partisë, prandaj kryeministri ka vendosur të shtyjë marrjen e një vendimi pas zgjedhjeve të brendshme në shkurt”, deklaroi zyrtari i PDK-së.
Nga ana e tij, Haradinaj duket se ka përpiluar një listë me postet ministrore dhe emrat që do të vendosë në këto pozicione, ndonëse më parë ka deklaruar se mund të hyjë në qeveri vetëm nëse i ofrohet roli i kryeministrit.
Top Channel