Janë zhvilluar edhe ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për grupin B.
Debuton me sukses, në stolin vlonjat, Ernest Gjoka, ndërkohë që kuqezinjtë dëshmuan se kanë pasur forca e potencial brenda tyre, por ndoshta kanë pritur largimin e spanjollit Rubio, për t’u shfaqur të plotë.
Në “Niko Dovana”, provuan një disavantazh të dyfishtë në 30 minutat e para të lojës, por më pas përmbysën gjithçka në favor të tyre. Migen Memelli realizon një dopietë, së cilës i shtohet edhe goli i Muzakës, për të vulosur fitoren e artë e të kthesës së madhe ndaj Teutës.
Kjo e fundit, përveç fillimit të bukur e mjaft produktiv, shfaqet krejtësisht e mefshtë dhe tashmë është thuajse e pashpresë për ta kaluar këtë tur të Kupës së Shqipërisë. “Djemtë e detit” mbeten të fundit në grupin e tyre, me dy humbje dhe pa asnjë pikë.
Ndërkohë, nuk fal Bylisi në fushën e tij. Në katër ndeshje në krye të Bylisit, Shensoi regjistron po kaq fitore, dy në kampionat dhe dy në kupë. Ballshiotët kanë mundur Laçin, me rezultatin 2-1, me golat e Shoshit dhe Metos, ndërsa për kurbinasit ka konkluduar Marashi. Tri pikë të tjera në llogarinë e Bylisit, i cili tashmë është shumë pranë kualifikimit për në gjysmëfinale.
Top Channel