Ylli Polovina – Vajza e tyre, ende pa mbushur dhjetë vjeç, ndërsa po ndiqnin në televizion një nga deklarimet më të fundit për vlerësimin pozitiv të Enver Hoxhës, doli heshtur nga salloni.
Zakonisht ajo tërhiqej në dhomën e vet dhe kur nuk bënte detyrat apo shfletonte librat e shkollës, pikturonte. Qe e talentuar në hedhjen e ngjyrave, befasuese sidomos në kapjen e temave. U kthye pas një ore. Sërish pa shqiptuar asnjë fjalë u zgjati prindërve një fletë të bardhë. Mbi të qe vizatuar një portret zyrtar i Enver Hoxhës. Ata të dy panë në sy njëri-tjetrin: ndikimi mbi të voglën duhej të kish ardhur jo prej tyre. Ata qenë racionalë dhe asnjëherë të nxehtë ndaj politikës. Hynin në njerëzit e lodhur prej saj. Nëse ndonjëherë flisnin në publik pëlqenin debatin për ndërrimin real të brezave në mjeshtërinë e qeverisjes. Shpresonin në ardhjen e gjeneratës së dytë të të lindurve pas rënies së diktaturës, sepse për të parën gjykonin se, për një mijë arsye të kuptueshme, nuk mund t’i shpëtonte dot peshës së rëndë të gjysmëshekullit të shkuar. Po ashtu edhe traditës kombëtare para saj, me pluralizëm me thonjtë në fyt.
Nuk duket aq fort jonormale, por gjithsesi mbetet problematike te ne, gjendja e një mosmarrëveshjeje, pakuptimi dhe anarkie të re. Në këto mbi dy dekada të një Shqipërie apo të të gjithë shqiptarëve, që përjetojnë një fat gjeopolitik, i cili në Ballkan dhe veçanërisht në anët tona mbërrin tepër rrallë dhe nuk zgjat shumë, shihet se ndryshimet përmirësuese, ndërsa diku ecin e diku kanë ngecur, ngarendin në një fushë dhe bëjnë hapin e breshkës në një tjetër, shtrijnë autostrada asfalti dhe rrjeti internetik e mediatik, por ngushtojnë e vështirësojnë rrugë komunikimi mes partive, institucioneve, pushtetushtruesve publikë, kanë rënë në një fushë që, nga këmbët e shumta, po kthehet në një baltovinë: vlerësimi i trashëgimisë historike. Vetëm pas kryerjes së kësaj dhe bashkë me të, është i dobishëm shkrimi, në letër siç vezulloi Ilir Ikonomi me “Udhëtimi i Ismail Qemalit drejt pavarësisë”, bëri dritë Roland Qafoku me dokumentarin e tij televiziv për të njëjtin personalitet të shquar dhe për temën e luftës dhe të pas saj, depërtoi me kurajë në gjashtë numra të një gazete të përditshme studiuesja Ana Lalaj. Asnjëri nga të tre nuk veproi ashtu, sepse mendojnë se kanë të drejtë të vënë rregull në këtë rrëmujë të përgjithshme, por sepse dëshirojnë, bashkë me informacionin e ri të dokumentuar, të largojnë sa më shumë prej mendësisë sonë mënyrën e të kuptuarit dhe të të interpretuarit të protagonistëve të historisë sonë me çelësin rrondokop “ose djall, ose engjëll”.
Enver Hoxha bëri shumë ta shndërronte në djall Ahmet Zogun. Ky Fan Nolin. Për Ismail Qemalin, sigurisht vetëm si shpallës i parë i shtetit tonë, të dy më të zotët për të qenë në krye tona pa ndërprerje, për 15 vite (Zogu) dhe 41 (Hoxha), kishin nevojë ta mbanin si monument. Nuk ia kallëzuan defektet. Ua lanë në dorë atyre që vinin më shumë nga jashtë politika. Këta qenë plot vlera intelektuale dhe kombëtare si Faik Konica apo Eqrem Vlora, por edhe jo pak xhelozë ndaj më të suksesshmëve. Mbi Ismail Qemalin u vërsul për ta djallëzuar edhe një turmë e vogël lokale, tashmë e harruar dhe me po të njëjtin fat sa herë shpupuris pendët. Sidoqoftë, themeluesi i shtetit tonë i ka të pakta gjasat të “shejtanoset”, veç periudhën e të mbajturit si engjëll e pati tejkaluar. Këtë njëqindvjetor, ky monopol zbukurues u thye. Nga kjo ai nuk humbi asgjë, veç fitoi, sepse nga statujë e ftohtë u bë njeri i ngrohtë. Në këtë rast nuk e kemi fjalën për një libër të publikuar dy muaj më parë prej një studiueseje energjike dhe barrierëthyese, si Elena Kocani, e cila duke ritheksuar dobishëm rolin e posaçëm austro-hungarez në shtetshpalljen tonë, për fat të keq e ka tepruar në të drejtën për ta djallëzuar Ismail Qemal Vlorën.
Periudha e pasvitit nëntëdhjetë, për shkak të hyrjes dhe pranimit zyrtar në Shqipëri të mënyrës perëndimore të jetesës, nuk mund të qe kaq sektare sa ish koha e monizmit të durueshëm zogist dhe atij të gjatë dhe frymëmarrës enverist. Megjithatë, ndërsa i pari nisi të rifitonte prestigj, pra të çdjallëzohej, shefi fizik e moral i diktaturës gjysmëshekullore u refuzua krejtësisht nga klasa e re politike. Ndërkohë, botimet e tij, të quajturat “Vepra” apo seriali i kujtimeve, ditarëve dhe i analizave staliniste, shiten kudo. Jo vetëm në vendlindjen e vet, Gjirokastër, por deri edhe në Tiranë gjen në treg porcelane me pamjen e tij. Në një garë shpejtësie, siç mund ta keni parë së fundmi, përkrahës të pasionuar mbi makinë kishin ngulur një foto të madhe të diktatorit. Kohët e fundit disa politikanë të një krahu të caktuar, por edhe ndonjë studiues me përvojë i historisë, kanë kërkuar një rivlerësim për të. Më i spikaturi vjen prej bashkëkombësve tanë të Kosovës: Rexhep Qosja. Në historinë e përmbysjes së diktaturës komuniste, në manifestimet e para të studentëve dhe të punëtorëve dhjetoristë, portreti i tij, bashkë me të Ismail Kadaresë, qenë dy emblemat kryesore për frymëzim ndaj shoqërisë së re pluraliste. E theksojmë këtë jo vetëm për kundërshtuesit e ashpër të tij, por edhe për vetë profesorin, mos edhe ai e ka kapërcyer kufirin ku rri në vendin e saj historiografia dhe në të vetin politikë ushtrimi.
Rishfaqja e kërkesës për çdjallëzim të Enver Hoxhës, edhe pse në pamje të parë gjen shtysë llogaritjen e rezultateve të pritshme të ndeshjes elektorale, dhe në këto njehsime secili prej ballafaquesve di çfarë bën, nxitje kryesore pati një tjetër arsye. Ishte engjëllizimi i Ahmet Zogut. Kishte disa vite që procesi i rehabilitimit të merituar të disa kontributeve të tij pati arritur përmasën reale, të pranueshme dhe qetësuese për opinionin publik. Nuk ishte më, madje, as mollë sherri. I rikthyer dhe i cituar qetësisht nga historianët, por i frekuentuar edhe nga politikanët e pothuaj gjithë spektrit partiak, ai qe më pak ndarës e më shumë pajtues dhe bashkues. Tejkalimi i kësaj mase shpërthyese për monistin tonë të parë, pra fillimi i engjëllizimit të tij, shkaktoi, siç pritej, të kundërtën. Jo vetëm i rigjallëroi refuzuesit, deri ato çaste të dremitur, por edhe i shumoi, i bëri më agresivë. Në jo pak raste edhe më të padrejtë. Këta u hodhën vërtikshëm në të kundërtën, në ridjallëzimin e tij. Për ta çuar gjer në fund këtë aksion, më të butët apo më dinakët, ofruan një marrëveshje “xhentellmenësh”: rehabilitimin e monistit të dytë, Enver Hoxhës. E kishte parathënë këtë me kohë diktatoresha, bashkëshortja e bashkëpunëtorja e tij.
Kështu, si në enët komunikuese që kemi mësuar nga fizika apo edhe si te “babushkat” ruse, ku nga e madhja nxjerr një të vogël, nga kjo e fundit një tjetër, më të imtë, e kështu me radhë, djallëzim-engjëllizimi i Ahmet Zogut shkakton procesin e anasjellë e njëkohësisht të kundërt: engjëllizim-djallëzimin e Enver Hoxhës.
Që kjo mënyrë vlerësimi e historisë dhe e protagonistëve të saj kryesorë të mos bëhet model apo edhe shtampë e ngurtë për të gjykuar ata që po dhe do të jetojnë këtë shekull shpresëmadh të mijëvjeçarit të ri, do të qe shumë e vlefshme që politikanët e sotëm (të paktën ata) të qëndronin në një distancë të arsyeshme, sigurisht aspak të censuruar. Ata kanë ndikim të madh publik dhe ndërhyrja e tyre në çastin e duhur, mbetet e dobishme.
Çështja është që ata, profesionistë të një mjeshtërie që e bën historinë, por nuk e shkruan dot, në portat e trashëgimisë dhe të kujtesës kombëtare të hyjnë duke lënë te dera teserën e partisë. Ta rimarrin kur të dalin.
Kjo është shumë e mundur dhe do t’u bënte e jepte nder. Do të ishin vërtet mjaft të dëshiruar për të shpëtuar njëherë e mirë, të gjithë së bashku, nga mendësia foshnjore se protagonistët tanë publikë, janë vetëm djaj dhe vetëm engjëj, vetëm të zinj dhe vetëm të bardhë.
Duke qenë se janë si të gjithë ne, racë njerëzore dhe i llojit shqiptar, kanë dritë nëpër të dhe shumë hije. Në çfarë raporti ndodhen këto tek i njëjti pushtetushtrues, pra ai shpërndan më shumë ndriçim apo terr, kjo është punë tepër e ndërlikuar dhe kërkon specialistë teknicienë. Rivlerësimi i politikanëve nuk mund të bëhet nga të ngjashmit. Më e pakta ka “konflikt interesi”.
Top Channel