Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka shprehur ngushëllimet e saj
presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për tragjedinë në
Konektikat ku humbën jetën 27 persona.

“Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të qytetarëve tuaj dhe për dhimbjen shkaktuar familjeve dhe popullit amerikan nga kjo ngjarje e rëndë”, thotë Jahjaga në mesazhin e saj.

Kryetarja e shtetit kosovar shprehet gjithashtu se, në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet e saj dhe të popullit kosovar janë me popullin amerikan.

Edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka ngushëlluar sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për këtë ngjarje që u mori jetën edhe fëmijëve.

“Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh dhembjen dhe pikëllimin për këtë akt kriminal, i cili u mori jetën dhjetëra personave, shumica prej të cilëve fëmijë”, thotë Hoxhaj në mesazhin e tij.

Shefi i diplomacisë kosovare ka shprehur gjithashtu solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me familjarët e viktimave, me autoritetet amerikane dhe me mbarë kombin amerikan në këto momente të vështira.

“Populli dhe qeveria e Kosovës ndajnë dhembjen dhe pikëllimin me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, duke iu bashkuar lutjeve të popullit amerikan”, thotë më tej Hoxhaj.

Top Channel