Skënderbeu-Kukësi, sot luhet për kualifikim

15/12/2012 00:00

Tetë skuadrat më të mira të Kupës së Shqipërisë do të zbresin në fushat e
blerta këtë fundjavë për të krijuar një ide më të qartë rreth ekipeve
pretendente, për të marrë biletën për në gjysmëfinale.

Për Grupin A, sot do të kemi në Korçë supersfidën Skënderbeu-Kukësi, dy skuadrat fituese të ndeshjeve të para të këtij grupi, por që brenda dy javëve të fundit përballen për të dytën herë, pas asaj për Kategorinë Superiore, ku korçarët fituan me rezultatin 2-0.

Për secilën nga skuadrat, fitorja në këtë takim do të vulosë kualifikimin për në turin tjetër, ndërsa humbësja do të duhet të shpresojë ende te ndeshjet e treta. Interesant është fakti se tapeti i stadiumit të Korçës është i mbuluar nga dëbora.

Megjithatë, kjo nuk i pengon klubet përkatëse të shfaqin ambiciet respektive. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët dhe në këtë përballje synon të marrë fitoren përballë publikut vendas. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, shprehet tekniku i ‘Ujqërve të Dëborës’.

Kukësi është një skuadër e fortë dhe këtë e tregoi edhe në ndeshjen e kampionatit. Por për ne, objektivi i vetëm do të jetë fitorja, e cila do të mund të na garantonte kualifikimin”. Ndërsa kuksianët do të synojnë të përmirësojnë rezultatin e fundit në përballjen direkte në kampionat. Për të karikuar skuadrën, drejtuesit e klubit kanë dhënë dje edhe pagën e radhës. Ky është një motiv më shumë për të kërkuar maksimumin ndaj korçarëve. Verilindorët janë grumbulluar në Pogradec dje dhe sot do të udhëtojnë drejt Korçës. Trajneri Armando Cungu do të duhet të bëjë llogaritë pa Luka Biskup, i ndëshkuar me kartonë, i cili është mungesa e vetme. “Ju garantoj që nuk do të jetë një ndeshje e njëjtë me atë të kampionatit, deklaroi tekniku i kuksianëve. Në atë takim, diferencën mes dy ekipeve e bënë vetëm dy episode. Por sot shpresojmë që të japim më të mirën në Korçë dhe të mos dalim nga stadiumi pa një rezultat pozitiv”. Në ndeshjen tjetër të grupit, Kastrioti në Krujë luan kundër Shkumbinit. Formacionet kërkojnë tri pikët e shpresës, për të luajtur gjithçka në sfidën e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB