PS: Shtohet pasuria e vajzës së Berishës

15/12/2012 00:00

Partia Socialiste e vijoi atë që e cilëson transparencë të deklarimit të
pasurive për bllokmenët blu me vajzën e Kryeministrit, zonjën Argita
Berisha.

Deputeti Taulant Balla iu referua deklarimit të pasurisë së vajzës të Kryeministrit për vitin 2011 për të cilën tha se teksa shqiptarët varfërohen përditë paradoksalisht pasuria Argita Berishës pëson vetëm rritje.

“Sipas asaj çka vetë zonja Argita Berisha deklaron, gjatë vitit 2011, pasuria e vajzës së Kryeministrit është shtuar me 210 milion e 784 mijë lekë. Të kujtojmë pak se çfarë ka ndodhur me ekonominë e shqiptarëve në vitin 2011. Papunësia në vitin 2011 kapi shifrën 1 milion të papunëve.  Në vitin 2011 rritja reale ekonomike ka qenë 0%, ndërkohë zyrtarisht ka qenë rritja ekonomike më e ulët e 10 viteve të fundit. I vetmi tregues që është rritur në vitin 2011 është niveli i lartë i korrupsionit. Pra, me pak fjalë, në vitin e krizës, varfërisë, papunësisë por edhe korrupsionit masiv, vajza e Kryeministrit të vendti zonja Argita Berisha ka shtuar pasurinë e saj me plot 210 milionë e 784 mijë lekë”, tha Balla.

Sipas Taulant Ballës, në Shqipëri nuk mund të gjejmë një person të njëjtë të paguar me këtë shumë.

“Në nivel ndërkombëtar, na rezulton se vajza e Kryeministrit të Shqipërisë, paguhet njëlloj sa edhe zëvendës Presidenti amerikan Joe Biden.Pyetja tjetër që lind në këtë rast është se nga kanë ardhur këto para që deklaron vajza e Kryeministrit? Sipas zonjës Argita Berisha, nga 17 milion e gjysmë lekë fitime në muaj, 12 milionë vijnë nga mësimdhënia universitare”, tha Balla.

Në vijim të deklaratës Balla krahasoi rrogën që përfiton Argita Berisha nga mësimdhënia me atë të arsimtarëve të tjerë në Shqipëri.

“Pra, zonja Argita Berisha, si e punësuar në arsim deklaron plot 12 milionë lekë rrogë në muaj.Sa janë mësuesit që paguhen kaq sa zonja Argita Berisha? Një drejtor shkolle paguhet rreth 600 mijë lekë në muaj. Pra, zonja Argita Berisha paguhet çdo muaj aq sa paguhen 20 drejtorë shkolle së bashku”, tha Balla.

Top Channel