Partia Demokratike vijoi me akuzat ndaj liderit të opozitës Edi Rama për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Deputeti Gerti Bogdani tha në një deklaratë për mediat se shqiptarët do të rrëzojnë më 23 Qershor “murin e bllokimit” të ngritur nga  bllokmenët e rinj.

“Për herë të tretë radhazi dhe në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, interesat e ngushta personale të aventurierit politik në krye të Partisë Socialiste, bllokojnë marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë dhe vonojnë shqiptarët në procesin e tyre të integrimit. Mosvotimi në parlament i 3 ligjeve nga ana e opozitës e bllokoi edhe njëherë Shqipërinë në avancimin e saj drejt BE-së. Është e pafalashme për cilindo politikan që mbi interesat kombëtare të vendosë interesat politike dhe personale, është e pafalshme për një aventurier politik të mbajë peng dhe të bllokojë një vend të tërë. Është mëse e qartë, qoftë nga deklarata e komisionerit Fyle, qoftë nga konkluzionet e KiE, apo votimit në Parlementin Europian, se arsyeja e vetme e mosmarrjes së statusit kandidat është mosvotimi i tre ligjeve në parlament nga opozita. Pra është bllokimi që zoti Rama i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë, ashtu sikurse rrëzuan murin e izolimit të ngritur nga bllokmenët e vjetër 22 vite më parë, do të rrëzojnë më 23 qershor murin e bllokimit të ngritur nga këta bllokmenë të rinj”, deklaroi deputeti demokrat.

Top Channel