
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2013. Në një konferencë për media lideri opozitar tha se nëse aktorët e tjerë politik bllokojnë reformën zgjedhore e kushtetuese atëherë LDK-ja do të këmbëngulë që zgjedhjet të mbahen sipas ligjit aktual.
Ndërkaq, sipas tij nëse Presidentja nuk lëshon udhë për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në afatin e paraparë atëherë LDK-ja nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese.
“Unë mendoj se këto zgjedhje duhet të mbahen me cdo kusht vitin e ardhshëm, sepse mendoj që është në interes të vendit për të patur një qeverisje, një Kuvend që do të burojë nga vota e drejpërdrejtë e qytetarëve dhe jo deputetë ndaj të cilëve pritet cdo ditë që të hapet një cështje gjyqësore. Do të kemi një qeveri që do të jetë produkt i votës së lirë të qytetarëve”, thotë zoti Mustafa.
Në këtë kuadër kreu i LDK-së kritikoi qeverinë e Kosovës për dështime në zhvillimin ekonomik, politikat e arsimit, në polici dhe drejtësi. Ai tha se papunësia, deficiti buxhetor e tregtar dhe korrupsioni janë në nivel më të lartë se tre vjet më parë ndërkaq që sipas mustafës është shënuar rënie në investimet e jashtme direkte e private.
Kryetari i LDK-se i cilësoi të dëmshme pretendimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për t’ju bashkuar qeverisë së kryeministrit Hashim Thaci.
“Cdo kompozim mbi votën e manipuluar, s’do t’i ndihmonte as stabilitetit dhe as qeverisjes, por vetëm zgjatjen e një qeverie që nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm”, komentoi kreu i LDK-së.
Këto komente kreu i LDK-së i bëri pas kthimit nga samiti i lidereve të partive popullore europiane ne bruksel. Ai komentoi konkluzionet e këshillit të be-së për kosovën duke potencuar se veriu nuk mund të vihet si kriter i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit europian.
“Me veriun nuk mund të kushtëzohen negociatat sepse veriu është një cështje e vecantë dhe kritere të tilla nuk ka patur për vendet e tjera. Por unë shoh shumë arsye që ky proces të kushtëzohet me reformën në administratën publike në Kosovë”, tha Mustafa.
Në konferencën e fundit për këtë vit kryetari i LDK-se kujtoi mbështetjen që i ka dhënë qeverinë në procesin e dialogut me Serbinë me kusht që pjesë e tij të mos jetë integriteti territorial i vendit, sovraniteti dhe rregullimi kushtetues.
Top Channel