Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk duhet të fajësohet Komisioni Evropian për shtyrjen e datës së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Ne vetë kemi ndërtuar një sektor publik mbi baza politike e të nepotizmit, të paaftë dhe joefikas për t’u ballafaquar me sfidat e shtet-ndërtimit”, ka thënë Mustafa në një konferencë për shtyp.

Kryetari i partisë më të madhe të opozitës kosovare ka thënë gjithashtu se, zgjedhjet e ardhshme duhet të zhvillohen në vitin 2013.

“Këtë, jo sepse e kërkon LDK-ja, por sepse Kosova ka nevojë për një qeveri dhe deputetë të cilët nuk presin që çdo minutë të hapet një proçedure penale”, ka deklaruar Mustafa.

Hipoteza e zgjedhjeve për vitin e ardhshëm ka kohë që qarkullon në qarqet politike dhe mediatike të Kosovës, të cilat muajin e kaluar raportuan se, PDK dhe LDK mund të kenë rënë dakord që të çojnë vendin në zgjedhje në vitin 2013, ndërsa Atifete Jahjaga të vazhdojë të mbetet në krye të shtetit.

Por, përpara se të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Thaçi e Mustafa duket se janë marrë vesh që deri në mars të vitit të ardhshëm të përfundojnë ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore.

Megjithatë, ndërsa është biseduar për reformën parlamentare, nga dy liderët nuk është cekur çështja e zgjedhjes së presidentit me votë të drejtëpërdrejtë nga populli, e parë si mënyrë për të zgjidhur çështjen problematike të zgjedhjes së kreut të shtetit në Kosovë.

Top Channel