
Parlamenti shqiptar dhe ligjvënësit e tij tashmë kanë mundësinë të
korrigjojnë turpin e vjetër dhe të dalin ballë lartë përpara popullit të
tyre. Ky ka qenë apeli që ka bërë kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, në
takimin e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, në të cilin u prezantua
dhe diskutua projektrezoluta çame.
“Jemi këtu se duhet të miratojmë rezolutën, jo vetëm dokument parlamentar por testament i të parëve tanë që u dogjën dhe u vranë padrejtësisht, është një amanet dhe dëshirë e fundit e të parëve tanë. Është akti kryesor i shkruar i këtij testament gojor i shkruar brez pas brezi. Parlamenti duhet të merret me rezolutën se në 65 vjet politika shqiptare u ka borxh çamëve, u ka borxh 2500 të vrarëve mes tyre shumica pleq, gra dhe fëmijë. Ne jemi komunitet i fortë, jetëdashës, kemi qenë dhe do jemi zemra e shqiptarizmit. Enver Hoxha dhe shteti i tij e sakrifikoi kauzën çame. Shteti shqiptar i pluralizmit e nisi mirë por i ndërroi sjelljen e saj rrugës. Sot u jam mirënjohës të gjithë atyre burrave që e kanë udhëhequr këtë shoqatë ndër vite. Ne si parti kyçe për mbijetesën e shumicës kemi treguar se mund të çojmë përpara kauzën tonë, me veprën tonë ndërkombëtarizuese i kemi bërë çamët të ndihen krenarë për atë që janë. Sot ky testament i të parëve ka marrë formën e rezolutës. Sot ky tekst është në dritën e diellit dhe rrit përgjegjësinë tonë për ta mbrojtur, bazohet mbi konventën europiane të të drejtave të njeriut. Ata që na kanë kritikuar të paktën sot të gjejnë vullnetin të mbështesin rezolutën tonë. Është një akt bashkimi jo akt ndarje. Deputetët të korrigjojnë turpin e vjetër dhe të dalin ballë lartë nga dyert e Kuvendit”, u shpreh Idrizi.
Në një dokument të plotë dhe të argumentuar juridikisht prej 13 pikash, rezoluta për çështjen çame kërkon që Greqia të njohë gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve çamë, të njohë të drejtat themelore të tyre dhe të restaurojë këto të drejta sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve. Në këtë projektrezolutë, gjithashtu kërkohet që nëpërmjet njohjes së të drejtave të shtetasve shqiptarë – ish-shtetas grekë, të rivendosen të drejtat, që nga riatdhesimi dhe njohja e së drejtës së pronësisë dhe së drejtës së pakicës etnike. Një tjetër pikë shumë e rëndësishme e draftit të rezolutës është kërkesa për shfuqizimin e ligjit famëkeq të luftës që ende Greqia e njeh në marrëdhëniet me Shqipërinë, që mban në sekuestro konservative të gjithë pronat e shqiptarëve nga krahina e Çamërisë. Në projektrezolutë, kërkohet që qeveria shqiptare të ngrejë menjëherë komisionet dypalëshe me Greqinë për të zgjidhur këtë çështje, duke detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Greqi, të cilët janë të padëbuar nga spastrimi etnik që ndodhi në fund të luftës. Projektrezoluta kërkon gjithashtu që të ngrihen në dy qendrat e rëndësishme të krahinës së Çamërisë, Paramithi dhe Filat, dy lapidarë që do të përkujtojnë gratë, pleqtë e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve të kryera nga njësitë paramilitare greke.
Top Channel