Ministrja serbe e Integrimit, Suzana Grubjeshiç ka deklaruar se vendi i saj mund të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE në qershor të vitit të ardhshëm.

Kjo, sipas Grubjeshiç, mund të realizohet nëse Beogradi zyrtar vazhdon reformat dhe bisedimet me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Jemi të vetëdijshëm që duhet vazhduar proçesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ky është kushti më i rëndësishëm politik që i vihet Serbisë nga BE-ja”, ka thënë Grubjeshiç.

E pyetur nga mediat serbe se çfarë duhet të bëjë konkretisht Serbia në këtë drejtim, ajo ka nënvizuar se duhen zbatuar të gjitha marrëveshjet për të cilat është rënë dakord me Kosovën.

Në ditët e fundit dy palët kanë nisur të zbatojnë marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufijve në pikat e Jarinjës dhe Bërnjakut, ndërkohë që në pikat e tjera zbatimi do të nisë në fund të vitit.

Një ditë më parë, zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së njoftoi për kontaktet e Catherine Ashton gjatë ditës së djeshme me kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës, në kuadër të dialogut dypalësh.

“Gjatë bisedave ata rishikuan progresin e bërë në kuadrin e zbatimit në fushën e Integrimit të Menaxhuar të Pikave të Kalimit dhe diskutuan rrugët e mundshme për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë fushë”, thuhej në komunikatën për shtyp, ku bëhej me dije se palët kishin rënë dakord që bisedimet në nivel ekspertësh të vijojnë javën që vjen.

Pasi theksonte angazhimin e BE-së për perspektivën evropiane të Serbisë dhe Kosovës, siç u reflektua në Konkluzionet e Këshillit, Ashton ftoi kryeministrat Daçiç e Thaçi që të vijojnë dialogun për normalizimin e mardhënieve në janar të vitit që vjen.

Top Channel