
Fryma e Re Demokratike ka zyrtarizuar degën e saj në Kavajë me premtimin se do t’i rikthejë dinjitetin këtij qyteti të harruar dhe abuzuar nga politika. Atmosfera ka qenë mjaft e ndezur në qytetin e Kavajës, i njohur si djepi i demokracisë shqiptare.
Pikërisht nga Kavaja, zona elektorale e kryeministrit Sali Berisha, kreu i FRD-së Bamir Topi, duke thënë se Berisha nuk ka asnjë lidhje me qytetin e ftoi atë që të përballet me qytetarët e Kavajës dhe premtimet e pambajtura:
“Kavaja ka një domethënie të veçantë për demokracinë në Shqipëri. Këtu kanë ardhur politikanë, e kanë përdorur, keqpërdorur e shfrytëzuar shpirtin demokratik të Kavajës. Premtime ka marrë shumë, por vëmendje jo. Kavaja është harruar, ndaj duhet t’i kthejmë asaj dinjitetin. T’ia kthejmë Kavajën të rinjve dhe qytetarëve të saj. komunikimi me njerëzit e këtij qyteti duhet bërë ballë për ballë, e jo përmes Facebook-ut”, deklaroi Topi.
Kryetari i FRD-së u ndal dhe te përpjekjet e fundit për të transformuar historinë e Shqipërisë, duke theksuar se roli i shqiptarëve në rajon duhet të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti.
Drejtuesit e degës lokale të FRD-së gjatë fjalës së tyre thanë se Kavaja është tashmë një qytet i lënë pas dore nga qeveria përsa i përket shërbimeve në shëndetësi, arsim, infrastrukturës dhe përfaqësimit qytetar dhe se ndjehen të neglizhuar nga partia që për shumë vite me rradhe i kanë dhënë votën në emër të demokracisë dhe progresit të saj.
Top Channel