Partia shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se problemi i emrit me Greqinë është çështje komplekse dhe për tejkalimin e këtij problemi nevojitet konsensus i gjerë në vend.

Pas dështimi të Maqedonisë për të marrë datë për negociata, BDI, e cila udhëheq ministritë përkatëse me proçeset integruese, ende nuk ka dhënë sqarim se si qeveria do ta tejkalojë çështjen e emrit, si pengesë kryesore për avancimin e vendit në proçeset integruese.

“Nuk është këtu çështje sa ne mund të bindim Gruevskin, çështja e emrit është çështje komplekse e cila kërkon një konsensus më të gjerë dhe jo vetëm mes subjekteve politike, por edhe mes qytetarëve. Disa herë e kemi thënë se kjo është çështje e ndjeshme e cila ndonjëherë prek edhe çështjet e identitetit, kulturës, gjuhës e kështu me radhë dhe ne do të përkrahim proçeset për të cilat mund të ketë avancim”, ka deklaruar Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Edhe përkundër faktit që Maqedonisë nuk iu caktua një datë për çeljen e negociatave, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, ashtu si edhe zv/kryeministrja për çështjet evropiane, Teuta Arifi, tha se është i pamohueshëm suksesi i Maqedonisë në rrugën e eurointegrimit.

“Qëndrimi zyrtar i BDI-së është që Maqedonia ka bërë hapa të suksesshëm dhe hapa përpara drejt anëtarësimit dhe ne nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë edhe më tutje”, tha Ademi.

Por jo të gjithë në BDI mendojnë kështu. Anëtarja e kryesisë qëndrore të kësaj partie, Ermira Mehmeti e quajti dështim pamundësinë e Maqedonisë për të marrë datën për negociata.

Ndërkaq, opozita shqiptare i kërkoi BDI-së që të braktisë qeverinë pas këtij dështimi. Edhe kryeministri Nikolla Gruevski është shprehur i dëshpëruar nga vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për Maqedoninë.

Top Channel