Susan Rice nuk do të pasojë Hillary Clinton

14/12/2012 03:30

Ambasadorja e OKB-së, Susan Rice, ka tërhequr emrin e saj nga pretendentët për të pasuar Hillary Clinton, në postin e Sekretares amerikane të Shtetit, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Në një letër drejtuar presidentit, zonja Rice ka thënë se procesi për miratimin e saj do të ishte “përçarës dhe i kushtueshëm”, njofton NBC News. Rice ka qenë në qendër të kritikave të republikanëve, në lidhje me reagimin e administratës së Obama-s, ndaj sulmit vdekjeprurës ndaj konsullatës së SHBA-ve në Libi. Clinton ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë në Departamentin e Shtetit.

Në letrën e shkruar për presidentin Barack Obama, zonja Rice kishte thënë se ndihej “shumë e nderuar”, për faktin që u konsiderua e denjë për postin e Sekretares së Shtetit, si dhe “me besim të plotë se mund t’i shërbente vendit efektivisht në atë rol”.

Por, zonja Rice, 48 vjeç, tha se perspektiva e kundërshtimeve në Kongres ndaj konfirmimit të mundshëm të saj, qëndronte pas vendimit të saj për t’u tërhequr nga kjo garë.

“Jam e bindur se procesi i konfirmimit do të ishte i gjatë, përçarës dhe i kushtueshëm, ndaj jush dhe ndaj prioriteteve tona të ngutshme kombëtare e ndërkombëtare”, i shkroi zonja Rice presidentit. “Ky kompromis thjesht nuk i shërben aspak vendit tonë”, shtoi ajo, duke thënë se “Pozicioni i Sekretares së Shtetit kurrë nuk duhet politizuar”.

Obama tha përmes një deklarate: “Më vjen shumë keq për sulmet e padrejta dhe çorientuese ndaj Susan Rice gjatë javëve të fundit”. Ai shtoi se vendimi për tërheqje i saj reflekton forcën e karakterit dhe aftësinë për t’u ngritur mbi politikën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA