Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të reja ndaj Iranit, duke shënjestruar një grup kompanish dhe individësh, asetet e të cilëve u bllokuan në bazë të dyshimeve se siguronin materiale për zhvillimin e teknologjisë bërthamore të Teheranit.
Sanksionet, të lajmëruara të premten nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit, janë të fundit që godasin ekonominë iraniane.
Sipas një zëdhënëse të qeverisë amerikane, sanksionet u bënë të pashmangshme, duke parë mungesën e vullnetit të Teheranit për t’u përfshirë në bisedime konkrete për programin e tij bërthamor.
Ndërkohë, kreu i Agjensisë Bërthamore të OKB-së foli me optimizëm mbi mundësinë e mbajtjes së një takimi me Iranin në janar, shoqëruar me një marrëveshje inspektimi të reaktorëve kryesorë.
“Kemi rënë dakord për të mbajtur një takim në datën 16 janar të 2013-s. Aktualisht, po punojmë mbi axhendën e takimit dhe pritet që të finalizojmë marrëveshjen, e cila duhet të përfshijë edhe inspektimet në terren, në ditët në vazhdim”, deklaroi kryeinspektori i Agjensisë, Herman Neckaerts.
Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.
Top Channel