Gjykata Speciale e Beogradit ka vendosur mbajtjen në burg për 30 ditë të Mirosllav Mishkoviç, biznesmeni i pasur e i plotfuqishëm që u arrestua dy ditë më parë për korrupsion.

Masa e dhënë nga gjykata, në përfundim të 48 orëve paraburgim, përfshin edhe gjashtë persona të tjerë të arrestuar me Mishkoviç, mes të cilëve i biri Marko.

Ndërkohë, të tjerë të dyshuar, të arrestuar edhe ata ditën e mërkurë, janë lënë të lirë nga trupi gjykues, bëjnë të ditur mediat serbe.

Mishkoviç, një nga njerëzit më të pasur në Ballkan, u arrestua nga policia serbe për shkak të dyshimeve për keqpërdorime financiare, por edhe për privatizimeve ilegale e pastrim parash.

Mishkoviç u arrestua së bashku me të birin, Marko, i cili thuhet se disa ditë më parë kishte tentuar të largohej nga vendi, dhe tetë persona të tjerë, ndër të cilët edhe Milo Gjurashoviç.

Mirosllav Mishkoviç, pronar i kompanisë “Delta” që ka pasur pasuri marramendëse, nga një njeri i panjohur ka arritur deri tek listat e revistave si “Forbes”, si një nga njerëzit më të pasur në botë.

Ndërkaq, në Shqipëri ai kishte hyrë me kompaninë e dikurshme “Euromax” dhe disa investime të tjera. Ai është pasuruar në kohën e luftërave të Sllobodan Millosheviç, ndërsa më pas ka qenë i afërt me demokratët dhe financues i shumë partive politike.

Gjithashtu, emri i tij është përfolur për lidhje me klanet e trafikut të drogës, një tjetër motiv për të cilin manjati dhe grupi i tij po hetohen nga seksioni hetimor kundër krimit të organizuar. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA