Ndodhej pranë brigjeve të Venezuelës, SHBA-të sekuestrojnë anije në ujërat ndërkombëtare
Në ditën e dytë të samitit të liderëve të Bashkimit Europian që po mbahet në Bruksel, u arrit një tjetër marrëveshje që afron edhe më shumë drejt centralizimit vendet e Eurozonës.
“Kemi gjetur gjuhën e përbashkët për një udhërrëfyes që do të integrojë akoma më shumë vendet e Eurozonës, përtej marrëveshjes së arritur më herët për mbikqyrjen e bankave”, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel.
Plani që afron më shumë vendet e Eurozonës u paraqit nga presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy dhe ishte kryefjala e ditë së dytë të samitit. Për momentin detajet e marrëveshjes janë ende të pazbardhura, por ajo që dihet me siguri është se nuk është vendosur asnjë datë e saktë se kur do të hyjë në fuqi kjo marrëveshje.
Në plan parashikohen më shumë kompetenca të BE-së kundrejt buxheteve të vendeve kombëtare, ku përfshihen edhe masa penalizuese për qeveritë e vendeve të veçanta nëse tejkalojnë “borxhin e arsyetuar”.
Gjithashtu, Van Rompuy tha se plani i detajuar do të paraqitet në kohë për samitin e qershorit të 2013-ës ku do të përfshihet një “njësim më i thellë ekonomik i vendeve të Eurozonës nëpërmjet marrëveshjeve mes qeverive të vecanta dhe BE-së”.
Megjithatë, për sistemin e taksimit do të duhet ndryshim i traktateve europiane dhe kjo me shumë gjasa mund të kërkohet pas zgjedhjeve për strukturat europiane që mbahen në mes të 2014-ës.
Ministrat e Financave të Eurozonës nënshkruan në orët e mëngjesit të së enjtes marrëveshjen që i jep fuqi mbikqyrëse Bankës Qendrore Europiane ndaj të gjitha bankave private që operojnë në zonën e monedhës së përbashkët.
Sipas marrëveshjes, bankat me më shumë se 30 miliard euro asete do të jenë në monitorim të përhershëm nga Banka Qendrore Europiane. Kësaj të fundit i shtohen kompetencat të ndërhyjë tek kreditorët dhe huadhënësit e vegjël në momentin e parë që vëren se diçka nuk shkon.
Top Channel