Një ditë pasi Rusia, aleati më i ngushtë i regjimit të presidentiti Bashar al-Assad në Siri, pranoi se fitorja e kryengritësve në luftën civile është një mundësi reale, NATO i bashkohet këtij konstatimi duke theksuar se tashmë suksesi i rebelëve është vetëm “një çështje kohe”.
“Duke parë zhvillimet në terren, është tashmë vetëm çështje kohe përpara se regjimi i Al-Assad të rrëzohet”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen nga Brukseli.
Deklarata e kreut të Aleacës më të fuqishme ushtarake në botë, pjesë e të cilës është edhe vendi ynë, u bë gjatë një takimi në të cilin u lajmërua edhe vendosja e raketave “Patriot” në kufirin turko-sirian.
“Qeveria e Al-Assad po humbet gjithmonë e më shumë terren. I kërkoj regjimit, që të heqë dorë nga dhuna, të kuptojë se cila është situata aktuale në vend dhe të nisë një proces që do të përfundojë me përmbushjen e aspiratave legjitime të popullit sirian”, shtoi Rasmussen.
Ditën e enjte, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Mikhail Bogdanov, pranoi se tashmë fitorja e kryengritësve nuk mund të përjashtohet, ndonëse Moska theksoi se qëndrimi i saj ndaj çështjes siriane nuk ka ndryshuar dhe se vazhdon të mbetet një aleate e ngushtë e Damaskut zyrtar.
Në 20 muaj luftë civile në Siri, Rusia ka bllokuar nëpërmjet të drejtës së vetos një varg sanksionesh ekonomike, politike dhe ushtarake ndaj aleatit të saj në Lindjen e Mesme.
Si rrjedhojë e luftimeve, që prej marsit 2011, mbi 40 mijë sirianë janë vrarë, dhjetëra mijëra figurojnë të zhdukur dhe të paktën 2,5 milionë banorë janë zhvendosur nga banesat e tyre, në destinacione më të sigurta brenda apo jashtë vendit.
Top Channel