Çerekfinalet e Kupës së Italisë do të dhurojnë spektakël, pasi do të kemi sërish një duel Juventus-Milan, i cili do të luhet në “Juventus Stadium” në janar, një sfidë me eliminim direkt.
Milan i Allegri-t nuk ka patur mëshirë për Reggina-n e Dionigi-t, në 1/8-at e finaleve, ndeshje e cila u zhvillua në një “San Siro” gjysmë-bosh. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, kuqezinjtë kanë dominuar bindshëm në të dytën, duke fituar 3-0.
Kanë shënuar Yepes, në të 50-n, dhe brenda 2 minutave talenti i ri Niang (79’) e Pazzini (80’), teksa ky i fundit dyshohet për pozicion jashtë loje.
Allegri: Ta lëmë Niang-un të rritet
Kalimi në çerekfinalet e Kupës së Italisë kënaq pjesërisht teknikun e Milan, Massimiliano Allegri: “Nuk kemi luajtur mirë në pjesën e parë, – ka deklaruar ai, pas fitores 3-0 ndaj Reggina-s. – Nëse nuk arrin të zhbllokosh menjëherë rezultatin, të tilla ndeshje bëhen tepër të vështira. Na duhet intensiteti i duhur për të bërë akoma më mirë”.
Në çerekfinale do të ndeshen me Juventus: “Tashmë mendojmë vetëm për Pescara-n. Niang? Ka luajtur mirë, por duhet ta lëmë të rritet i qetë”.
Top Channel