Lëshimi i raketës, festime në Penian

14/12/2012 00:00

Ndërsa gjithë bota dënoi lëshimin e raketës me rreze të gjatë veprimit si shkelje e rëndë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, mijëra koreano-veriorë mbushën rrugët dhe sheshet e kryeqytetit Penian për të festuar testin e suksesshëm.

Televizioni shtetëror KCNA transmetoi të premten pamje të turmave më ushtarë dhe civilë që festonin, ndërsa zyrtarë të lartë të regjimit mbajtën fjalimet e rastit për këtë arritje.

Raketa me rreze të gjatë veprimit, që Shtetet e Bashkuara, aleatët e saj në Azinë Lindore dhe Bashkimi Europian thonë se është për qëllime ushtarake, por që mohohet nga Peniani që deklaron se është për lëshimin e një sateliti në hapësirë, u lëshua ditën e mërkurë.

Suksesi i testimit tejkaloi edhe pritshmëritë e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët më pas thanë se kishin nënvlerësuar aftësitë e vendit komunist për lëshimin e asaj që quhet raketë me tre faza, pas dështimit në muajin prill.

Hedhja e satelitit në hapësirë shihet si një hap gjigant teknologjik i Penianit dhe një përforcim i pozitave të diktatorit të ri, Kim Jong-un. Suksesi, që mbërrin pas vitesh të tëra dështimi, ka shqetësuar ndërkombëtarët për programin bërthamor koreano-verior, sidomos tani që vendi komunist ka zhvilluar teknologjinë dhe aftësinë e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Përvec reagimit të ashpër të Perëndimorëve, Koresë së Jugut dhe Japonisë, keqardhje për testimin shprehu edhe Kina e Rusia, dy ndër aleatet historike të Penianit, ndërsa i vetmi vend që përgëzoi testimin ishte Irani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB