Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian, përkatësisht hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, është peng i dialogut politik me Serbinë.
Ministrja kosovare e Integrimit Europian, Vlora Çitaku kritikoi Brukselin zyrtar se padrejtësisht e ka ndërlidhur proçesin e integrimeve me atë të dialogut.
Kjo, pavarësisht faktit se, sipas Çitakut, zyrtarë të BE-së kishin deklaruar se hapja e negociatave për MSA-në varet nga përmbushja e kritereve aftatshkurtëra të përcaktuara më herët.
“Më duhet të shpreh zhgënjimin në emër të qeverisë për faktin se konkluzionet e dhjetorit kanë dallime substanciale me ato të tetorit. Tani është bërë një lidhje direkte e proçesit të integrimit me rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi. Më herët vetë zyrtarë të BE-së kanë thënë se këto janë dy proçese të ndara”, deklaroi Çitaku.
Në fakt, në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Europian thuhet hapur se përveç kritereve afatshkurtëra, që janë reformat në administratën publike, sundimi i ligjit, etj, është esecaniale që Kosova të implementojë marrëveshjet me Serbinë.
Një theks i veçantë vihet te problemi në pjesën veriore, për të cilin Këshilli kërkon nga Kosova hartimin e një plani të veçantë që do të respektonte nevojat e veçanta të popullsisë lokale. E pyetur nëse edhe moszgjidhja e problemit në veri është shkak i zvarritjes së proçesit, Citaku dha këtë përgjgije.
“Nga Kosova gjithmonë është kërkuar një qasje gjithëpërfshirëse me veriun, por ky është një kriter afatgjatë. Proçesi i integrimit të veriut do të marrë më shumë kohë, por ne kemi idetë dhe strategjitë tona, të cilat ia kemi treguar edhe BE-së”, nënvizoi Çitaku.
Ministrja e Integrimit Europian shtoi se qeveria e Kosoves është treguar mjaft konstruktive në dialogun me qeverinë e Serbisë. Ajo vijoi me kritikat drejt Brukselit zyrtar se nuk ka dërguar fare mision në Kosovë për të bërë vlerësimin nëse kriteret e caktuara më herët janë apo nuk janë plotësuar.
Top Channel