Mijëra palestinezë u bashkuan në tubimin e parë masiv të organizuar nga Hamas në West Bank, që prej 2007-s.
Demostratat në qytetin Nablus festuan 25-vjetorin e krijimit të grupit militant islamik, që qeveris Rripin e Gazas. Kjo është hera e parë pas 5 vitesh, që Autoriteti Palestinez (PA), i cili qeveris në West Bank, i ka dhënë leje Hamas-it për të organizuar këtë tubim.
Lëvizja shihet si një shenjë përmirësimi e lidhjeve mes dy palëve. Një sherr ndodhi mes partisë Fatah të PA-së dhe Hamas-it, pasi lëvizja islamike fitoi zgjedhjet legjislative në 2006 dhe erdhi në pushtet 1 vit më vonë në Gaza.
Por, disa vëzhgues thanë se ka patur të dhëna, se tensionet mes fraksioneve rivale janë sheshuar gjatë kohëve të fundit, veçanërisht pas konfliktit 8-ditor të muajit të kaluar mes Hamas-it dhe Izraelit.
Javën e kaluar, liderët e Fatah ishin të pranishëm në një tubim të organizuar nga lideri politik i Hamas, Khaled Meshaal, i mbajtur gjatë vizitës së tij të parë në Gaza.
Në tubimin e së enjtes, mijëra mbështetës të Hamas mbushën rrugët në Nablus, një territor në veri, duke mbajtur parrulla “Hamas, ti je arma dhe ne jemi municionet”, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Lideri i Fatah, Amin Makboul, lavdëroi Hamas-in për “durimin” e tyre në përplasjet e fundit me Izraelin. “Fitorja në Gaza ishte më se e madhe për të gjithë popullin palestinez”, tha ai në tubimin në Nablus.
Ndërkohë, mijëra protestues në qytetin Hebron u bashkuan në një kortezh funerali, të mbajtur për një adoleshent të vrarë ditë më parë, nga rojet kufitare izraelite. Policia tha se djaloshi kishte sulmuar rojet dhe i kishte kërcënuar ata, në atë që më pas rezultoi në një replikë me armë.
Top Channel