Federata e Futbollit Botëror (FIFA) nuk është në gjendje që të konfirmojë rekordin e më shumë golave të shënuar brenda një viti kalendarik, nga ana e Lionel Messit.
Pasi Messi realizoi golin e 86, duke thyer rekordin e mbajtur më parë nga Gerd Muller, Brazili dhe Zambia protestuan pranë FIFA-s, duke pretenduar se ky rekord është thyer më parë në vendet e tyre.
Megjithatë, në një komunikatë, institucioni më i rëndësishëm i futbollit botëror shkruante: “FIFA mban vetëm statistikat zyrtarë të kompeticioneve që ajo vetë zhvillon. Për këtë arsye, nuk mund të krahasojmë, konfirmojmë apo njohin asnjë statistikë tjetër në kompeticionet kombëtare apo ndërkombëtare, të organizuara nga instanca të tjera. Kjo vlen si për rekordin e Messit, edhe për atë të Muller”.
Më parë gjatë dhjetorit, shtypi botëror raportoi se Messi theu këtë rekord të lakmuar, duke kaluar atë të vendosur nga Muller në vitin 1972, i cili realizoi 85 gola brenda atij viti.
Megjithatë, nga Brazili, Santos menjëherë protestoi, duke këmbëngulkur se Pele realizoi 110 gola në vitin 1961.
Gjithashtu, klubi tjetër brazilian i Flamengos, pretendon se rekordi mbahet nga Zico, i cili shënoi 89 gola në vitin 1979.
Protestave i është bashkuar edhe shteti afrikan i Zambias, ku sulmuesi Godfrey Chituali, në vitin 1972, është dokumentuar se realizoi 107 gola midis kampionatit dhe kupës në kampionatin vendas dhe me përfaqësuesen në kualifikuese dhe ndeshjet e Kupës së Kombeve të Afrikës.
Top Channel