Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, ka pësuar hemoragji gjatë operacionit të tij kundër kancerit, në Kuba gjatë së martës, por është duke u rikuperuar, bën të ditur ministri i Komunikimit.
Ernesto Villegas tha se presidenti 58-vjeçar do të kërkojë “kohën e duhur” për t’u rikuperuar, për shkak të kompleksitetit të operacionit dhe komplikimeve të pësuara gjatë tij.
Ky është operacioni i katërt i tij, që prej vitit të kaluar. Villegas u bëri thirrje venezuelianëve të vazhdonin të luteshin për Chavez-in. Presidenti Chavez “pësoi një hemoragji, e cila kërkoi marrjen e masave korigjuese”, tha ai në një deklaratë.
Por, zëvendës presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, tha se kushtet e Chavez janë përmirësuar “nga qëndrueshëm, tashmë në favor të tij”. Të mërkurën, Maduro tha se operacioni i fundit i presidentit kishte qenë “kompleks, i vështirë dhe delikat”, teksa po përballej me një rikuperim “të vështirë”.
Presidenti, i cili u rizgjodh për një mandat të katërt në tetor, pritet të fillojë detyrën e tij më 10 janar, për një afat kohor 6-vjeçar. Kushtetuta e Venezuelës thekson se, nëse presidenti largohet nga posti gjatë 4 viteve të para të mandatit të tij, do të duhet të mbahen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve.
Chavez tha se venezuelianët duhet të votojnë për Maduro-n në zgjedhjet e ardhshme, nëse shëndeti i tij nuk përmirësohet. Kanceri u zbulua fillimisht gjatë një operacioni në qershor 2011.
Gjatë fundjavës, Chavez pranoi në publik seriozitetin e situatës. “Ka rrezik, askush nuk mund ta mohojë”, tha ai në një deklaratë televizive. Maduro, një ish-shofer autobusi, është një prej këshilltarëve më të afërt të presidentit.
Top Channel