Ushtria siriane ka lëshuar raketa të llojit Skud kundër kryengritësve në veri të vendit duke e përshkallëzuar më tej konfliktin.
Kjo është pohuar nga zyrtare të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara sipas të cilëve trajketorja dhe distanca e përshkuar nga raketat tregon se ato janë të llojit Skud.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland shpjegoi se kohët e fundit është bërë zhvendosja e raketave brenda territorit të Sirisë.
“Ndersa regjimit po bie gjithnjë e më shumë në dëshpërim, shohim se po gjen prehje tek përdorimi i armëve vdekjeprurëse”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Kernei nënvizoi se nëse raportimet për raketat e llojit Skud rezultojnë të vërteta, ky është akti i fundit i dëshpëruar i regjimit që tregon shpërfilljen më të madhe për jetët e pafajshme, përbuzjen më të madhe për jetët e sirianëve”.
Nga ana tjetër, Kernei i mëshoi deklaratës së presidentit amerikan, Barak Obama për njohjen e opozitës siriane si përfaqësuesja e vetme legjitime e popullit sirian.
Të mërkurën në Marok në takimin e “Miqve të Sirisë”, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e mbi 100 vendeve u njoh “Koalicioni Kombëtar për Revolucionarët Sirianë dhe forcat opozitare” si i vetmi përfaqësues i popullit. Këtij grupimi i ka dhënë tashmë mbështetjen Britania e Madhe, Franca, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik.
Në terren konflikti përshkallëzohet çdo ditë. Tre shpërthime të fuqishme u regjistruan në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme në Damask.
Raportohet për të vdekur, të plagosur dhe dëme të shumta. Ministria ndodhet në lagjen Kafar Suseh, në jug-perëndim të Damaskut ku më parë raportohet për luftime mes ushtrisë dhe kryengritësve. Në Deir Al Zur, sic raporton “Mjeket pa kufij” dhjetëra-mijëra persona, shumë prej tyre të plagosur, kanë mbetur të bllokuar në qytetet si pasojë e përleshjeve të armatosura dhe bombardimeve.
“Mjeket pa Kufij” apeluan për zhvendosjen e të sëmurëve dhe të plagosurve në zona më të sigurta si dhe për t’i dhënë autorizim ekipeve të mjekëve ndërkombëtare për t’u ardhur në ndihmë.
Rusia: Assad po humbet terren
Rusia, aleati më i vendosur i presidentit sirian, Bashar al-Assad pranon se ky i fundit është duke humbur luftën me rebelët opozitarë.
Zv/ministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov tha se forcat besnike të presidentit sirian janë duke humbur terren në ditët e fundit, çka mund të rezultojë vendimtare për fatet e konfliktit dhjetra-mujor mes dy palëve.
Top Channel