Shfajësimi i një grupi kriminal, i akuzuar për rrëmbim të femrave me qëllim prostitucioni, ka shkaktuar një tërbim të vërtetë të banorëve të Buenos Ajresit, në Argjentinë.
Disa dhjetëra gra dhe burra kanë zbritur në rrugët e kryeqytetit argjentinas për të protestuar, duke u përleshur ashpër me forcat e policisë, të mbledhura për t’i ndaluar.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, grupi kriminal i shfajësuar përbëhet nga 13 persona, asnjë prej të cilëve nuk ka marrë dënim nga trupi gjykues.
Gjatë protestës janë verifikuar zjarrvënie të konteinerëve të mbeturinave, thyerje të vitrinave të dyqaneve dhe gaz lotësjellës të hedhur nga forcat e policisë.
Argjentina dhe vende të tjera të Amerikës Latine konsiderohen si vatra të shfrytëzimit të prostitucionit, një fenomen ky që nuk kursen as të miturit.
Në këtë kontinent ekziston i ashtuquajturi turizmi seksual, klientë të të cilit janë kryesisht turistë që vijnë nga vendet e zhvilluara.
Gjithashtu, grupet kriminale në këto vende janë përgjegjëse për dërgimin e viktimave të prostitucionit drejt vendeve perëndimore të Evropës.
Top Channel