Raketa koreanoveriore, Irani i ngazëllyer

13/12/2012 17:10

Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë perëndimorë dënuan njëzëri lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi nga Korea e Veriut, i vetmi vend në botë që përgëzoi Penianin ngrohtësisht ishte Irani.

Gjenerali Masoud Jazaeri, një prej zyrtarëve më të lartë iranianë, deklaroi të enjten në agjensinë “Fars” kënaqësinë e tij më të madhe për realizimin e suksesshëm të këtij lëshimi.

“Historia ka treguar se vendet e pavarura, me vetbesim dhe këmbëngulje mund të arrijnë shumë shpejt nivelin e vetëmjaftueshmërisë në shkencë dhe teknologji. Fuqitë hegjemonike, si SHBA, e kanë të pamundur të pengojnë progresin e këtyre vendeve”, u shpreh Jazaeri.

Sipas ekspertëve të CIA-s, dyshohet se Korea e Veriut dhe Irani kanë shkëmbyer prej kohësh informacion në lidhje me perfeksionimin e programeve të tyre bërthamorë, me Teheranin që i ka ofruar shtetit komunist përvojën e tij në lidhje me reaktorët bërthamorë dhe Penianin, që ka bashkëpunuar në teknologjinë e raketave.

Ndërkohë, aleati i vetëm i rëndësishëm i regjimit të Kim Jong-un, Kina, gjithashtu u rreshtuar midis vendeve që dënuan lëshimin e satelitit të parë koreanoverior në hapësirë, që për komunitetin ndërkombëtar, ka pasur si qëllim parësor testimin e raketave që mund të godasin objektiva deri në SHBA apo skajet e Europës.

“Shprehim keqardhjen tonë për realizimin e këtij lëshimi, që ngjall shqetësim në gjirin e komunitetit ndërkombëtar. Shpresojmë që të gjitha palët e përfshira të jenë në gjendje të mbajnë paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean”, deklaroi Hong Lei, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Kineze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA