KS dënon Korenë e Veriut

13/12/2012 00:00

Këshilli i Sigurimit dënoi lëshimin e raketës nga Korea e Veriut që është kryer në shkelje të plotë të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Më herët Shtetet e Bashkura e cilësuan një akt tejet provokues  që kërcënon sigurinë rajonale. Qeveria japoneze ngriti nivelin e gatishmërisë së ushtrisë përpara lëshimit dhe tha se raketa kishte kaluar mbi prefekturën e Okinauas.

Presidenti i Koresë së Jugut, Li Mjung Bak zhvilloi një takim të jashtëzakonshem të këshilltarëve të tij.  Seuli dënoi më tonë të ashpër lëshimin e raketës.

Britania e Madhe thirri ambasadorin e Koresë së Veriut për bisedime urgjente. Për diplomacinë e Londrës testimi ishte plotësisht i papranueshëm.

Analistët thonë se diplomatët perëndimorë synojnë që pas deklaratave të tyre ndëshkuese për aktin e Penianit, të hartohet një rezolutë në ditët e ardhshme.

Nëse ajo do të forcojë sanksionet ekzistuese, kjo do te varet nga Kina, aleati më i ngushtë i Koresë së Veriut. Deri tani Pekini ka shprehur keqardhje për veprimin e Penianit, por kërkoi dhe vetëpërmbajtje për çdo kundërpërgjigje.

Raketa UNHA 3 u lëshua në orën 09.49 minuta me orën lokale,  ndoqi, sic raportojnë mediat, trajektoren e planifikuar dhe pjesët e shkëputura prej saj ranë pikerisht aty ku pritej.

Lëshimi vjen një javë përpara zgjedhjeve presidenciale në Korenë e Jugut dhe një vit pas vdekjes se udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Il më 17 dhjetor të 2011.

Top Channel