Juventus marshon edhe në Kupë

13/12/2012 00:00

Një gol i Xhovinkos në minutën e 57-të të takimit i dha fitoren 1-0 dhe kualifikimit skuadrës së Juventusit në ndeshjen kundër Kaljarit e vlefshme për 1/8 të Kupës së Italisë.

Bardhezinjtë në ndeshjen e parë të rikthimit të Kontes në “Juventus Stadium” dhuruan pak emocione. Ndeshja nisi me disa raste të vakëta për Xhovinkon, ndërsa në minutën e 12-të Vidal pësoi dëmtim në gjurin e djathtë, i njëjti i pësuar edhe gjatë ndeshjes së kampionatit në fundjavë.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa e dyta nis me Juventusin më agresiv. Shtimi i rasteve për gol, shpërblehet në minutën e 12 të fraksionit të dytë të takimit, kur Xhovinko gjen rrjetën. Në minutat e mbetura, bardhezinjtë ruajnë avantazhin, ndërsa miqtë tentojnë disa herë të gjejnë golin e barazimit, por pa sukses.

Juventusi kualifikohet për në çerekfinale dhe pret tashmë fituesen e çiftit Milan-Rexhina, që luhet sot për t’u njohur me kundërshtarin e radhës.

Në ndeshjen tjetër të luajtur  të mërkurën Katania eleminoi Parmën falë goditjeve nga pika e bardhë e penalltive, ku siçilianët u treguan më të saktë se vendasit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB