Numri i gazetarëve të burgosur në të gjithë botën shënoi një rekord të ri në vitin 2012, me Turqinë që kryeson listën e mohimit të lirisë së fjalës.
Këto të dhëna u publikuan në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, të publikuar ditën e martë.
Deri në fillim të dhjetorit, 232 reporterë, fotografë dhe redaktorë ndodhen në burgjet e 27 vendeve, me akuza si terrorizmi apo krime kundër shtetit.
Sipas komitetit me qendër në Nju Jork, burgosja është forma më efikase, njëkohësisht edhe më brutale, e shtypjes së zërave kritikë.
Numri i gazetarëve të burgosur në 2012 është më i larti që prej fillimit të punës së këtij komiteti në vitin 1990. Rekordi më i mëparshëm ishte shënuar në vitin 1996, me 185 të burgosur në total.
Turqia është vendi më problematik në raport, me 49 gazetarë në burgjet e shtetit euro-aziatik, shumica e të cilëve reporterë kurdë që kanë folur kundër shkeljeve të ushtrisë në zonat kurde.
Irani është vendi i dytë me më shumë gazetarë të burgosur, me 45 të tillë, ndjekur nga Kina (32), Eritrea (28) dhe Siria me 15.
Top Channel