Mali, kryeministri dorëhiqet pas arrestimit

11/12/2012 00:00

Kryeministri i Malit, në Afrikë, ka dhënë dorëheqjen në një fjalim televiziv, pak orë pasi u arrestua nga ushtarët që ishin prapa një grushti ushtarak të organizuar në muajin mars.

Cheik Modibo Diarra u arrestua të hënën në shtëpinë e tij në kryeqytetin Bamako, në bazë të një urdhëri të lëshuar nga lideri i grushtit të shtetit, kapiteni Arnadou Sanogo.

Diarra, i cili pritej të udhëtonte për në Francë, u bë kryeministër i një qeverie të përkohshme në muajin prill pasi ushtarakët ia dorëzuan pushtetin civilëve.

Astrofizikanti 60-vjeçar kishte mbështetur planet për të dërguar një forcë ushtarake të Afrikës Perëndimore në gjysmën veriore të Malit, që u mor nën kontroll nga rebelët tuaregë.

Por tensionet mes ushtarëve që drejtuan grushtin e shtetit dhe kryeministrit civil që ata u detyruan të caktonin u rritën ndjeshëm në javët e fundit.

Shumë mbështetës të regjimit ushtarak ishin kundër ndërhyrjes së një force të huaj, duke thënë se atyre u nevojitej vetëm një mbështetje financiare dhe logjistike.

Zëdhënësi ushtarak Bakary Mariko tha për BBC se kryeministri dyshohet se ka tentuar të rrezikojë dialogun politik të planifikuar për tranzicionin e demokracisë.

“Tetë muaj më parë kryeministrit iu dha misioni që të ndihmonte Malin në rekuperimin e integritetit territorial. Por, për fat të keq, ai ka punuar vetëm për të qëndruar pafundësisht në pushtet”, deklaroi zëdhënësi.

Zoti Diarra do të mbahet nën arrest derisa një kryeministër i ri të përcaktohet nga presidenti i përkohshëm, shtoi zëdhënësi ushtarak.

Top Channel