Casillas: Dua të tërhiqem në SHBA

11/12/2012 16:30

Iker Casillas është simboli i Real Madrid duke qenë se ka dalë nga “kantera” e madrilenëve dhe ka fituar shumë trofe me këtë ekip, por ndryshe nga flamuj si Maldini, Zanetti apo Giggs, kapiteni i klubit më të madh spanjoll nuk do të mbyllë karrierën me fanellën e skuadrës së tij të parë.

Në një intervistë për një televizion spanjoll, portieri theksoi: “Pas 4-5 vitesh dua ta shijoj futbollin në një mënyrë më të qetë. Mendoj të shkoj në Amerikë pasi nuk mund të luaj në Spanjë me një ekip tjetër përveç Realit.”

Duket se presioni i mediave është arsyeja kryesore e këtij vendimi: “Nëse në moshën 31-vjeçare marr kritika të ashpra, imagjino kur të bëhem 37 vjeç.”

Duke folur për trajnerin Jose Mourinho, Casillas tha: “Është shumë krenar. Do që gjithçka t’ia thuash në sy.”

Pak ditë më parë, portieri dhe kapiteni i Real Madrid dhe kombëtares spanjolle, deklaronte se pas botërorit të vitit 2014 edhe Spanja do i japë lamtumirën disa prej elementeve që e kanë kthyer në një superfuqi të futbollit: “Pas “Brazil 2014” do të ketë shumë lojtarë që mund të vendosin tërheqjen nga kombëtarja, mes tyre jam edhe unë. Në këtë mënyrë do i lihet hapësira të rinjve. Për këtë arsye, fitorja e Kupës së Botës do të ishte mënyra më e mirë për të mbyllur karrierën me përfaqësuesen.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA