
Mediat e huaja i cilësuan një sulm parazgjedhor komentet e Silvio Berlusconi-t ndaj pasardhësit të tij Mario Monti. Vendi tani është më keq së kurrë, deklaroi Kavaljeri, që akuzoi kryeministrin se ka ndjekur politika nga të cilat ka përfituar vetëm Berlini, për shkak, se siç tha ai, Gjermania e ka ulur koston e vet të huamarrjes në kurriz të shteteve të tjera.
“Ç`punë kemi ne me krizën?! Kriza është një hile, një shpikje me ndihmën e së cilës u përpoqën të rrëzojnë shumicën që qeveriste vendin. Monti ndoqi politika që ishin tepër të përqendruara tek Gjermania. Për pasojë, të gjitha statistikat ekonomike u përkeqësuan”, tha ish-kryeministri italian që së fundmi ka vendosur të rikandidojë.
Monti pritet të japë dorëheqjen pasi të enjten partia e Berlusconi-t e tërhoqi mbështetjen për qeverinë e tij. Berlusconi do të kandidojë në zgjedhjet e muajit shkurt, por Monti nuk e ka marrë ende një vendim. Ka shumë spekulime se kreu i qeverisë së teknokratëve në Itali mund të rikandidojë falë krijimit të një partie të re ose duke bashkuar forcat me një grupim të qendrës, apo ndoshta mund të hedhë kandidaturën për president kur posti i kreut të shtetit të mbetet vakant vitin e ardhshëm.
Kjo është fushata e 6-të elektorale për Berlusconi-n 76-vjeçar, lider i partisë konservatore Populli i Lirisë. Paqartësia e re politike në të cilën u zhyt papritur ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës, pati ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare, duke shkaktuar rënien e vlerës së aksioneve.
Deklaratat e Berlusconi-t sigurisht që nuk u pritën me entizuazëm në Berlin. Nëpërmjet një deklaratëi për shtyp, Ministri i Jashtëm gjerman reagoi ashpër, duke kërkuar që Gjermania të mos përfshihet në ato që ai i quajti “politika populiste elektorale”.
“Një gjë nuk do të pranojmë asnjëherë; që Gjermania të shndërrohet në objekt të një fushate populiste elektorale”, deklaroi Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle që ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të vendit të tij për kryeministrin italian, Mario Monti dhe për reformat e ndërmarra prej tij.
Kundër Berlusconi-t ka reaguar edhe opozita e majtë. Ai që me shumë gjasa mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë, Pier Luigi Bersani tha se kriza është reale dhe jo fantazi.
Top Channel