Skocia nëse merr pavarësinë, humb BE-në

10/12/2012 00:00

Bashkimi Europian i bëri të qartë Skocisë se në rast se vendos të shkëputet nga Britania e Madhe do të humbë “statusin e anëtarit” të Unionit.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso tha se nëse në referendumin e vitit 2014 do të fitonte teza separatiste, Skocisë do t’i duhej të aplikonte nga e para për të qenë anëtare e Bashkimit Europian, ashtu sic parashikohet nga rregullat e Brukselit.

“Një shtet i pavarur duhet të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Barroso.

Deklarata e tij nënkupton se Edinburgun, në rast se përfiton pavarësinë e plotë nga Londra, e pret një rrugë, ndoshta e gjatë dhe e lodhshme për fitimin e statusit të vendit të BE-së.

Aktualisht, Skocia është pjesë e Britanisë së Madhe dhe nëpërmjet kësaj të fundit përfaqësohet në Bruksel. Forcat separatist në Edinburg kanë ardhur duke u mbështetur vazhdimisht nga populli në vitet e fundit, aq sa pak muaj më parë, vetë kryeministri skocez i paraqiti kërkesën për referendum Cameron.

Kërkesa u pranua “me keqardhje” prej kryeministrit britanik që vlerësoi se shkëputja do të ishte e dëmshme për të dyja palët, si për Britaninë, që do të humbte një pjesë të peshës së saj në rangun ndërkombëtar, ashtu edhe për vetë Skocinë, që do të shndërrohej në një zë të papërfillshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA