Kryengritësit në Siri arritën të pushtonin një bazë të rëndësishme në veri të vendit, në atë që u konsiderua nga mediat ndërkombëtare si goditja e radhës që i jepet ushtrisë së Bashar al-Assad.
Sulmi mbi bazën 111 në Sheikh Suleiman, 25 kilometra në perëndim të qytetit të Alepos besohet se u udhëhoq prej militantëve islamikë.
Një video e postuar në internet tregoi kryengritësit që sekuestronin armatime luftarake, përfshi një tank.
Ofensiva e kryengritësve erdhi pasi negociatori i paqes i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Lakhdar Brahimi, mbajti “bisedime konstruktive” me zyrtarët amerikanë dhe rusë gjatë të hënës.
”Të gjitha palët dhanë premtimin që të angazhohen më shumë për procesin e paqes dhe të ushtrojnë më shumë presion ndërkombëtar në favor të një zgjidhje politike”, u shpreh Brahimi.
”Të gjitha palët riafrimuan se situata në Siri është e keqe dhe po përkeqësohet më shumë, prandaj diçka duhet bërë menjëherë. Rusia dhe SHBA, ndajnë të njëjtin qëndrim në faktin se për zgjidhjen e krizës siriane nevojitet një proces politik, i cili të sjellë paqësimin e të gjitha palëve”.
Top Channel