Ulja e temperaturave si dhe reshjet e shumta të shiut e dëborës kanë bërë që shumë komuna në zonat malore të përballen me vështirësi, ndërsa dëbora ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore.
Në aksin rrugor Morinë-Tuneli i Kalimashit është i detyrueshëm me zinxhirë, po ashtu edhe në akse të tjera nacionale. Raportohet për bllokimin e automjeteve në Qafë Plloç përgjatë aksit Pogradec-Korçë. Drejtuesit e mjeteve mbetën të bllokuar për më shumë se 3 orë në rrugë, ndërsa apelojnë që policia të marrë masa.
Në lidhje me situatën e krijuar atje, policia deklaroi se edhe në këtë aks lëvizja e mjeteve është e vështirë për shkak të ngricës që ka sjellë bllokimin e qarkullimit. Policia këshillon drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes në Qafën e Qarrit, Qafë Plloç dhe Qafë Thanë pasi trashësia e dëborës është e konsiderueshme.
Situata e rënduar paraqitet në zonën e Korçës ku temperaturat kanë zbritur në minus. Mësohet se pavarësisht ngricës dhe akullit në rrugë, akset janë të kalueshme me zinxhirë.
Probleme raportohen edhe në Kukës e Pukë, ku përvec uljes së temperaturave, banorët po përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike. Një defekt në linjën e tensionit të lartë Fierzë-Fushë Arrëz ka lënë pa energjie elektrike prej dy ditësh Pukën, Kukësin, Hasin dhe Tropojën. Specialistët deklarojnë se po punohet për riparimin e defektit.
Top Channel