Ekonomia japoneze vazhdoi rënien për tremujorin e dytë radhazi, duke u konsideruar tashmë zyrtarisht në recesion.
Të dhënat e rishikuara të Zyrës Japoneze të Statistikave, treguan në raportin e publikuar të hënën se Prodhimi i Brendshëm Bruto i ekonomisë së tretë më të madhe në botë është tkurrur me 3,5% në semestrin korrik-shtator.
Nga prilli në qershor, ekonomia kishte përjetuar gjithashtu rënie prej 0,1%.
Sipas përcaktimeve të ekonomistëve, një ekonomi duhet të regjistrojë dy tremujorë radhazi negativë, që të konsiderohet në recesion.
Aktualisht, ekonomia japoneze është duke vuajtur nga borxhi i lartë qeveritar, që ka kufizuar investimet në vend, rënia ndërkombëtare e fuqisë blerëse dhe bojkoti jozyrtar që i është bërë nga Kina për shkak të përballjes mbi sovranitetin e disa ishujve, në një distancë pothuajse të barazlarguar midis dy superfuqive aziatike.
Sipas ekonomistëve, vendi ka paguar shtrenjtë edhe koston e rindërtmit, nga tërmeti dhe tsunami shkatërrues i një viti më parë.
Parashikimet për të ardhmen mbeten gjithashtu shqetësuese, ndërsa pritet që tremujori i katërt i vitit të jetë gjithashtu negativ.
Top Channel