Berlusconi: Pato në kërkim të vetvetes

10/12/2012 00:00

Angazhimi i fundit në politikë, ku njoftoi rikthimin si kandidat për kryeministër, nuk e pengoi Silvio Berlusconi-n këtë javë që të vizitonte sërish Milanello-n (vizita të shndërruara në ritual tashmë) për t’u takuar me stafin teknik dhe lojtarët e Milanit.

Presidenti i kuqezinjvë zbriti këtë herë në vigjilje të sfidës kundër Torinos ( e fituar 2-4 nga Milani) për të karikuar skuadrën e tij, por edhe për të folur për situatën tek Milani dhe gjithë futbollin italian.

Duke u ndaluar tek çështja Pato, Berlusconi tha edhe vetë sulmuesi brazilian është në kërkim të “vetvetes”, të formës më të mirë për t’u rikthyer në formën më të mirë. Më pas, Kavaljeri foli edhe për merkaton dimërore apo zërat për një kalim të mundshëm të Balotelli-t tek Milani.

“Deklaratat e mia janë keqinterpretuar. Unë nuk ëndërroj natën Balotelli-n, nuk shoh të tilla ëndrra dhe për të nuk ka asnjë përpjekje për ta sjellë në Milanello. Është shumë i shtrenjtë, këto gjëra nuk mund të bëhen më, s’jemi në të tilla kushte”, tha presidenti i kuqezinjve duke prekur më pas edhe rikthimin e Antonio Conte-s.

“Nuk e njoh në thellësi cështjen e tij, por nuk do të ishte për t’u habitur nëse ai do të ishte një ndër të persekutuarit e drejtësisë italiane, në këtë rast të asaj sportive”, deklaroi ai.

Top Channel