Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se nuk ka asnjë dyshim për qëllimin e “Hamasit”, që sipas tij nuk dëshiron paqe, por vetëm shkatërrimin e shtetit të Izraelit.
Duke folur nga Tel Avivi, Netanyahu komentoi kështu fjalimin e së shtunës të liderit politik të organizatës palestineze, Hamas Khaled, përpara masave në Gaza.
”24 orët e fundit kanë treguar, edhe një herë më shumë, fytyrën e vërtetë të Hamasit”, deklaroi Netanyahu, mbi organizatën e konsideruar terroriste nga Izraeli, SHBA dhe aleatët e tyre perëndimorë.
”Ata nuk kanë asnjë qëllim që të ulen në negociata për paqen, ndërsa e vetmja gjë që duan është të shkatërrojnë shtetin tonë. Megjithatë, shteti i Izraelit është mjaftueshëm i fuqishëm për të mposhtur të gjithë armiqtë e tij”, komentoi kryeministri.
Në fjalën e tij, Netanyahu foli edhe për çështjen e vendbanimeve hebrehe, që Tel Avivi lajmëroi se do të ndërtonte në territorin e pushtuar palestinez, pasi OKB pranoi t’i jepte Palestinës statusin e vendit pa të drejtë fjale në Asamblenë e Përgjithshme.
”Interesi dhe siguria e Izraelit dhe banorëve të tij është më i rëndësishmi për ne, prandaj nuk do të përkulemi përballë asnjë lloj presioni ndërkombëtar”, tha Netanyahu.
Top Channel