Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela është shtruar në spital në kryeqytetin Pretoria për t’iu nënshtruar disa kontrolleve mjekësore.
Zyra e presidentit aktual Jacob Zuma deklaroi se 94-vjeçari është në gjendje të mirë dhe se nuk ka arsye për t’u alarmuar.
Zoti Mandela kaloi më shumë se dy dekada në burg nën regjimin e bardhë të aparteidit. Ai shërbeu si presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut në vitet 1994-99 dhe mori çmimin Nobël për Paqen në vitin 1993.
Që prej vitit 2004 ai është shfaqur rrallë, që kur dhe u tërhoq nga jeta publike. Në janar të vitit 2011 ai u mjekua për një infeksion serioz në gjoks dhe një vit më vonë iu nënshtrua një proçedure diagnostikimi për një problem në bark.
Autoritetet deklaruan të shtunën se atij do t’i duhet kujdes mjekësor herë pas here për shkak të moshës. Presidenti Zuma i ka uruar Madibës, siç thirret Mandela nga populli, gjithë të mirat.
“Ekipi mjekësor ka mbështetjen tonë teksa kujdeset për shëndetin dhe gjendjen e presidentit tonë të dashur, që luftoi për një Afrikë të lirë dhe demokratike”, ka thënë Zuma.
Top Channel