Morsi: Gati të shtyj referendumin, por…

08/12/2012 00:00

Presidenti egjiptian, Mohamed Morsi është shprehur i gatshëm që të shtyjë datën e mbajtjes së referendumit për kushtetutën e re të vendit, por me kushtin që opozita të mos ndërmarrë nisma ligjore përballë magjistraturës vendase për ta anuluar atë.

Ky është propozimi i presidentit egjiptian për opozitën që prej ditësh ka thërritur protesta të fuqishme kundër asaj që e quan një “neo-diktaturë” dhe në mbrojtje të revolucionit që rrëzoi Hosni Mubarak.

Propozimi u bë publik nga zëdhënësi i vetë presidentit egjiptian, që gjatë së enjtes, dita më e përgjakshme e protestave kundër tij, bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim. Morsi mbrojti dy vendimet e kritikuara nga opozita, dekreti që i jep kompetenca të parefuezueshme dhe projekt-kushtetuta, si të domosdoshme për vendin.

Por argumentimi i tij nuk bindi protestuesit që të premten zbritën sërish në rrugët dhe sheshet e Kajros, por ndryshe nga një ditë më parë, protestuan paqësisht.

Kriza politike në Egjipt ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Presidenti amerikan, Barack Obama ka zhvilluar një telefonatë me homologun egjiptian, Mohamed Morsi ku ka vlerësuar se humbjet e jetëve të civilëve janë të papranueshme.

Kreu i Uashingtonit iu referua këtu 17 personave që gjetën vdekjen ditën e enjte në protestat e dhunshme përballë pallatit presidencial në Kajro. Obama bëri thirrje për dialog mes forcave politike në Egjipt.

Top Channel