Presidenti italian, Giorgio Napoletano ia doli mbanë të mbajë në këmbë qeverinë Monti, të paktën deri në muajin janar.
Presidenti italian, Giorgio Napoletano ia doli mbanë të mbajë në këmbë qeverinë Monti, të paktën deri në muajin janar.
Kreu i shtetit italian u përfshi ditën e premte në bisedime të ethshme për përfaqësues të forcave politike parlamentare, që pasoi vendimin e partisë së Silvio Berlusconi-t, PDL për të mos mbështetur më qeverinë e Mario Montit.
Mësohet se në takime është folur edhe për hartimin e një rregulloreje të përhershme mbi masat anti-krizë të qeverisë Monti. Sipas mediave italiane, po diskutohet mundësia që disa prej këtyre masave që cilësohen si thelbësore për të nxjerrë vendin nga kriza financiare, të marrin statusin e paprekshmërisë për një periudhë të caktuar kohore për të mos rrezikuar që qeveria e ardhshme, kushdo qoftë ajo, të mos i hedhë poshtë.
Kjo kërkesë mësohet të jetë shtruar në dyert e Presidentit nga vetë kryeministri Monti me arsyetimin për të mos çuar dëm punën dhe mundin e arritur deri më tani nga qeveria e tij. Italia është në rrugë të mbarë, tha ai, ndaj duhet të vazhdojmë.
Italia është përfshirë në krizë politike, pak muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kjo pas deklaratës së ish-kryeministrit Silvio Berlusconi për rikandidimin e tij. Deklarata u pasua me një abstenim të deputetëve të partisë së tij në parlament kur në lojë ishte votëbesimi i qeverisë aktuale.
Top Channel