Lideri i lëvizjes islamike të Hamasit, Khaled Meshaal ka deklaruar në një miting të mbajtur të shtunën në Gaza se refuzon çdo konçesion që mund të bëjë Izraeli.
“Ne jemi një Autoritet i vetëm. PLO është pika jonë e referimit dhe ne duam unitet”, ka thënë Meshaal, me rastin e 25-vjetorit të lindjes së lëvizjes integraliste.
“Palestina nga deti tek lumi, nga veriu në jug, është toka jonë dhe kombi ynë dhe ne nuk jemi të gatshëm të lëshojmë as edhe një centimetër”, ka thënë Meshaal.
Ai ka theksuar gjithashtu se nuk mund të njohë legjitimitetin e pushtimit të Palestinës dhe as të Izraelit, duke cilësuar si palestinez edhe territorin e shtetit hebre.
Kreu në mërgim i lëvizjes islamike të Hamasit mbërriti të premten në Rripin e Gazës, ku u prit si një triumfator. Bëhet fjalë për vizitën e parë të kryer nga Mashaal në Territoret palestineze që prej vitit 1967.
Ai do të qëndrojë në Gaza edhe për dy ditë të tjera. Mashaal, 56 vjeç, u prit në terminalin e Rafahut, prej nga hyri në Rripin e Gazës, nga kryeministri i Hamasit, Ismail Haniyeh.
Menjëherë më pas ai u drejtua për në qytetin e goditur rëndë nga sulmet e fundit izraelite në operacionin “Kolona e Reve”.
Numri 1 i lëvizjes islamike shoqërohet në këtë vizitë nga zëvendësi i tij, Moussa Abu Marzuk dhe në momentin e mbërritjes tha: “Shpresoj që Zoti të më mundësojë martirizimin në Gaza”.
Top Channel