Dara e ngricave ka përfshirë italinë, ku raportohen temperatura më të ulëta se mesatarja e stinës. Reshje të dendura dëbore po mundojnë verilindjen e vendit, por trafiku në zonat e banuara nuk është cënuar prej saj.
Ndryshe paraqitet situata për arteriet kryesore të zonës së Triestes. Në një pjesë të këtyre rrugëve ka pasur bllokim të qarkullimit deri në pezullim të plotë. Në Val d’Aosta, termometri shënoi gjatë natës -18 gradë Celsius.
Italia është katapultuar kështu në skenarin e një dimri polar, thonë mediat vendase. Veriu bën llogaritë me dëborën, ndërsa zonat qendrore me të ftohtin e acrartë dhe erëra të fuqishme.
Situata e rënduar duket se do të zgjasë për të paktën një javë. Madje, në ditët në vazhdim pritet mbërritja e një tjetër mase ajrore të ftohte nga Siberia, ndërsa fronti i acartë, sipas ekspertëve, do të përfshijë të gjithë zemrën e Europës.
Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar nga ana tjetër përmbytje në Napoli, ku uji mbuloi katet e para të banesave të qendrës historike e disa hotele më në periferi. Në mjaft raste, zjarrfikësit janë thirrur të nxjerrin njerëzit e bllokuar me makinat e tyre nëpër nënkalime të përmbytura.
Top Channel